
Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si të përfshirë për vrasjen e një 18-vjeçareje. Hetimet nisën pasi të dielën pasdite, trupi i pajetë i një vajze ishte dërguar nga dy persona në Urgjencën e Ferizajt, të cilët pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur.
Tani, ngjarja po hetohet si vrasje dhe, pasi hetuesit arritën të identifikonin të dyshuarit dhe të arrestonin njërin prej tyre. Në pranga ka përfunduar një 32-vjeçar, ndërsa në kërkim është shpallur 29-vjeçari Dardan (Emrush) Krivaqa. Policia ka publikuar foton e tij në Facebook, ndërsa në mediat e Kosovës raportohet se Krivaqa ishte i martuar prej pak muajsh me viktimën.
Prokuroria e Ferizajt tha gjithashtu se i akuzuari kryesor për vrasjen, Krivaqa, dyshohet se për motive të dobëta, e ka keqtrajtuar fizikisht të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. (A2 Televizion)