
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Kosovës ngarkesën e parë prej 35 mijë vaksinash të Pfizer kundër koronavirusit, pjesë e 500 mijë dozave që presidentit Biden ka premtuar për Kosovën.
Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit ishin krerët më të lartë të shtetit, të cilët gjatë fjalës së tyre u shprehën se kjo dhuratë rikonfirmon edhe njëherë miqësinë e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Isha e bindur që presidenti Biden, siç e ka dëshmuar historikisht do ta kuptonte drejt dhe do të bashkëndjente me një situatë të tillë meqë administrata e tij e ka vaksinimin prioritet që nga dita e parë e qeverisjes dhe e kupton qartë rëndësinë e këtij procesi jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por për çdo cep të globit. Institucionet tona në ndërkohë përveç kontratës me kompaninë Pfizer siguruan edhe vaksina tjera por mbi të gjitha ne morëm përgjigjën pozitive nga presidenti Biden për mbi 500 mijë vaksina si donacion i SHBA-ve, kontigjentin e parë të cilën po e pranojmë sot”, tha presidentja, Vjosa Osmani.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se që nga shfaqja e pandemisë, Shtetet e Bashkuara përveç vaksinave ka ndarë edhe afër 4 milionë dollarë për të mbështetur qytetarët e Kosovës.
“Kjo dhuratë nga qytetarët amerikanë, është donacioni më i madh i vaksinave për Kosovën nga çdo vend apo organizatë. Kur të përfundojë, donacioni amerikan do të sjellë në mbi 700 mijë numrin e dozave të dhëna përmes mekanizmit COVAX, nismës globale për të siguruar vaksina të sigurta dhe efektive. Me dhurimin prej 2 miliardë dollarësh për COVAX, Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesi më i madh në këtë mekanizëm”, tha ambasadori Kosnett.
Deri tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 450 mijë persona, prej të cilëve rreth 233 mijë me dyja dozat e vaksinës. (A2 Televizion)