Dhuna ndaj të miturve, Ballanca: Problem trajtimi i tyre në komisariate

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2021, 09:24 | Aktualitet
Dhuna ndaj të miturve, Ballanca: Problem trajtimi i tyre në

Shqipëria ka bërë hapa për mbrojtjen e fëmijëve, por ende ka shumë për të bërë. Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, deklaroi në studion e “Dita jonë” se nga viti 2016 e këtej, ekziston një strukturë për adresimin e problematikave të fëmijëve në të gjithë territorin. Por problematika, sipas saj, qëndron në faktin se bashkitë e mëdha kanë më shumë shërbime dhe punonjës që garantojnë të drejtat e fëmijëve në krahasim me bashkitë e vogla.

“Përveç forcave të policisë, ka një rrjet të tërë për adresimin e problematikave të fëmijëve. Agjencia për mbrojtjen e fëmijëve ka punonjës në gjithë territorin. Problemi që kemi evidentuar është se në bashkitë e mëdha ekziston mundësia për të pasur më shumë shërbime për këta nxënës dhe për të pasur më shumë punonjës të dedikuar për të garantuar të drejtat e fëmijëve, kurse në bashkitë e vogla ndihet nevoja thelbësore. Puna jonë është drejtuar këtu; ku çalon ky sistem dhe nuk funksionon duke mbledhur më shumë të dhëna”.

Ballanca thekson se për fëmijët nuk duhet humbur kohë, pasi për shkak të investimit të cunguar, ajo thotë se kemi një brez që nuk ecën me hapin e kohës.

“Është detyrë e institucioneve të rrisin cilësinë. Ulëritëse është që për fëmijët nuk kemi kohë të humbasim dhe prandaj duhet të kuptojmë se investimi te fëmijët kaq i cunguar na ka sjellë një brez që nuk ecën me ritmin e kohës. Ne nuk i dëgjojmë, por bëjmë sikur i dëgjojmë. Ka struktura që i marrin fëmijët pjesë të vendimmarrjes. Sa thelbësisht merremi ne me këtë çështje? Mendoj që ka shumë për të bërë. Institucioni im ka bërë shumë për të thithur zërin e fëmijëve. Shqipëria ka shumë për të bërë, por ligji për mbrojtjen e fëmijëve, ka bërë hapa të mëdhenj përpara”.

Në lidhje me të drejtat e fëmijëve që shkelen më shpesh, Avokati i Popullit gjen problematikë në trajtimin e fëmijëve në komisariate, ku policia, sipas saj, nuk e njeh si duhet ligjin për të drejtat e fëmijëve. Dhe këtu i referohet protestave për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Ne kemi dy grupe të mëdha ankesash që trajtojmë drejtpërsëdrejti nga fëmijët dhe nga prindërit dhe së dyti ankesat që ne i identifikojmë vetë, dhe ky është numër në rritje. Bëjmë monitorimin e përditshëm të mediave dhe identifikojmë rastet. Kushtet ekonomike dhe aksesi në nevojat bazike të jetës së tyre, ka qenë një ndër ankesat më të mëdha për shkak të pandemisë dhe tërmetit.

Një problem tjetër, ka qenë trajtimi i fëmijëve në institucione si në komisariate, në rast protestash. Ky është një nga ato rastet se si policia zbaton detyrimet dhe nuk rezulton i mirë.

Një apel, Ballanca ia adreson dhe medias në rastet e raportimit të abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve, për të qenë më e përgjegjshme dhe t’i shërbejë interesit qytetar.

“Media të ishte e përgjegjshme për t’i shërbyer publikut apo vetes së vet. Shumë nga elementet që janë shfaqur në media nuk kanë lidhje me informimin. Raportimet në botë për këto çështje bëhen të kufizuara. Duhet të ndryshojmë të gjithë së bashku”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos