Dialogu Kosovë-Serbi, Andoni: Serbët me qëndrim të unifikuar, Prishtina nuk ka një zë të përbashkët

Nga A2 CNN
18 Shtator 2020, 10:37 | Kosova
Dialogu Kosovë-Serbi, Andoni: Serbët me qëndrim të

Raundi i ekspertëve në Bruksel, edhe pse në nivel teknik, nuk pati sërish rezultate konkrete. Diçka që nuk surprizon analistin Ben Andoni. “Lajcak nuk është arbitër, është një i dërguar, i pafuqishëm për të vepruar. Ndërkohë, të dyja palët kanë hone të mëdha mes tyre, dhe paqartësi totale të asaj që prezantojnë në Bruksel”, thotë ai për A2.  

Por ka diferenca, sipas tij, midis palëve. “Pak më konkrete është pala serbe, boll të mendosh se çdo subjekt në Serbi që do të marrë vota, Kosovën e ka të paprekshme. Ndërkohë, në Kosovë, ka rryma shumë të mëdha brenda vendit, që në dukje duan integritetin e territorit, por nuk janë ende të vetëdijshëm që janë të pavarur. Ka një konflikt pikëpamjesh të jashtëzakonshëm, mjafton të shohësh atë që presidenca ka përcjellë ndaj ekzekutivit”.

Kjo përçarje përcillet edhe në dialogun në Bruksel. “Ulja që bëhet në Bruksel në aspektin teknik bëhet me dy personazhe që nuk kanë shumë integritet në vendet respektive. Marko Djuric është një personazh i ri me arrogancën e atij që mendon se vendi i tij duhet të jetë i privilegjuar, ndërkohë që zoti Hyseni është i kushtëzuar nga burimet e brendshme të Kosovës, që nuk e respektojnë dhe nuk çojnë një zë të përbashkët në Bruksel", thotë Andoni.

Sipas tij, problemi i vërtetë qëndron në faktin se “njerëzit që kanë luftuar vërtet për Kosovën nuk janë ata që e përfaqësojnë sot”, dhe se konflikti do të mbetet i ngrirë “për sa kohë që BE është në krizë dhe nuk i jep zgjidhje as problemeve më elementare, si liberalizimi i vizave”.

Por kjo gjendje e paqartë, sipas tij, i intereson palëve politike nga të dyja anët, që mos të flasin për problemet ekonomike dhe sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos