
Policia ka bërë të ditur këtë të premte se është djegur pjesërisht banesa e Klodian Çalamanit, i cili dyshohet si autor i vrasje së 8-vjeçarit në fshatin Grecalli, Fier, më 17 nëntor.
Shkaqet e zjarrit nuk bëhen të ditur nga policia.
Ndërkohë, Klodian Çalamani, ashtu siç ishte i harruar dhe i braktisur nga institucionet para krimit, ashtu po refuzohet dhe po lihet mënjanë edhe pas krimit monstruoz që kreu ndaj një të mituri 8-vjeçar. Paraburgimi i Fierit, refuzoi ta mbante me argumentimin se rrezikohej nga reagimi i familjarëve dhe i qytetarëve. Avokati refuzoi ta përfaqësonte në emër të krimit të pashembullt që ka kryer, gjithashtu edhe psikologët e institucioneve lizgjbatuese të Fierit refuzuan të kishin një përballje me fytyrën më të urryer të momentit në vendin tonë.
Për këto arsye, Çalamani u transferua në sekret të plotë dhe nën masa të forta sigurie drejt paraburgimit të Vlorës. Në këtë institucion, psikologët zhvilluan një seancë me vrasësin e të miturit.
Burime konfidenciale pohuan për A2 CNN se nga seanca nuk u vërejtën indikacione që 38-vjeçari të kishte çrregullime psikike. Pra, paraprakisht, mendërisht rezulton i përgjegjshëm. Natyrisht që për një përgjigje më zyrtare dhe të saktë ai duhet t’i nënshtrohet ekspertizës zyrtare psikike, gjë e cila nuk po zhvillohet ende për arsye sigurie.
Por ajo që mbetet e pashpjegueshme në këtë ngjarje më shumë se tragjike është se çfarë e ka shtyrë një njeri të përgjegjshëm mendërisht, siç konstatojnë psikologët paraprakisht, të kryejë një krim kaq monstruoz ndaj një vogëlushi. Këto janë pyetje që ekspertët duhet t’u japin përgjigje, jo vetëm për rastin në fjalë, por për të krijuar dhe identifikuar indikacionet që mund të shfaqin persona të tillë me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Për këtë arsye, Klodian Çalamani duhet analizuar dhe jo braktisur nga institucionet, në emër të urrejtjes për krimin që kreu. Të dhënat e ekspertimit të personalitetit të këtij vrasësi duhet të shërbejnë që persona me prirje të tilla në të ardhmen të identifikohen dhe trajtohen pa shokuar opinionin publik me ngjarje makabre. (A2 Televizion)