
Gjykata e Tiranës ka përfunduar procesin gjyqësor ndaj dy të akuzuarve si tutorë të të miturës, bashkëjetuesve Gerald dhe Evisa, 32 e 24 vjeç. Ata janë shpallur fajtorë për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit” me të mitura dhe janë dënuar me nga 8 vite burg secili, që prej gjykimit të shkurtuar është ulur në 5 vjet e 4 muaj.
Referuar vendimit të gjykatës, 16-vjeçarja ka pasur njohje me të pandehurën Evisa, e më pas është detyruar të prostituojë për llogari të saj dhe bashkëjetuesit. Fillimisht, ata e kanë shantazhuar me faktin se përdorte drogë, por më pas e kanë mbyllur kundër dëshirës në dy hotele në Tiranë, ku i dërgonin klientë.
Gjatë hetimit, në prani të psikologes, e mitura ka rrëfyer se Geraldi e Evisa i blenin një paketë cigare dhe ushqim një herë në ditë, duke e kërcënuar me fjalët “haje këtë dhe tepër e ke” dhe se “do të punosh përsëri që të nxjerrësh bukën e gojës”.
Sipas gjykatës, në një prej përpjekjeve për t’u larguar prej tyre, minorenia ka parë dy të pandehurit të fusnin në mjetin e tyre “BMW” vëllanë e saj 5-vjeçar.
"Ka pasur shumë raste që nuk kam pranuar. Ata më kanë rrahur, më kanë goditur, me kanë kërcënuar. Kush je ti, më kanë thënë mua, që të na thuash neve jo. A na njeh kush jemi? Me fjalë të tilla më kërcënonin. Unë kisha frikë se më thoshin ne ta sjellim gjithë Tiranën, gjithë shokët që njeh ti do të rrahin, do të vrasin. Ne nuk do të lëmë kurrë të qetë ty, nëse ti largohesh nga ne”, rrëfen e mitura.
Por 22 gushtin e vitit 2020 e mitura ka gjetur guximin të kallëzonte shfrytëzuesit në polici, veprim që i ka çuar ata në pranga. Sipas gjykatës, vepra penale u provua me deklarimet e të miturës dhe nënës së saj, si edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë të dy hoteleve ku u shfrytëzua. (A2 Televizion)