
Burime pranë policisë bëjnë me dije se rreth 15 persona janë shoqëruar në komisariatin e Devollit, për t’u marrë deklarimet lidhur me djegien e mjetit të Marsel Buçit. Sipas informacioneve, mes të shoqëruarve është edhe Deizi Arapi, ndërsa shtetasit e tjerë janë persona që mund të kenë dijeni, apo persona që kanë pasur konflikte më parë me Buçin. Zbardhja e ngjarjes vështirësohet pasi në atë zonë nuk ka kamera sigurie.
Janë hapur të gjitha dosjet që lidhen me Marselin, në mënyrë që të bëhet e mundur zbardhja e ngjarjes. Vetë Buçi ka deklaruar në polici se dyshimet e tij janë te Deizi Arapi, pasi ajo ka përmendur emrin e tij kur iu dogj makina e saj.
Në shtator, Arapit iu dogj për herë të dytë makina në derën e shtëpisë së saj në Devoll, ndërkohë që ajo kërkoi ndihmën e policisë për ngjarjen duke drejtuar gishtin te ish-kryebashkiaku Bledion Nallbati (aktualisht deputet), si urdhërues i kërcënimeve ndaj saj për shkak të një konflikti të vjetër.
I kontaktuar nga A2 CNN, deputeti Nallbati u shpreh se nuk kishte pasur ndonjë përplasje me akuzuesen dhe paralajmëroi se do të bëjë kallëzim penal për prishje të imazhit.
Marsel Buçi pohoi gjatë një komunikimi telefonik se ka dyshime të forta që makina është djegur nga motrat Arapi. “Nuk kam konflikte me persona të tjerë. Motrat më kanë akuzuar për djegien e makinës, por unë nuk kam gisht në këtë ngjarje. Makina mu dogj në orën që është djegur edhe makina e vajzave, çfarë më bën të mendoj që mesazhi për mua është i qartë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)