
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takime konsultuese me liderë të opozitës. Ftesës iu përgjigjën pozitivisht kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Biseda mes Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinaj, u përqendrua kryesisht në dialogun me Serbinë, ujdinë e fundit për letërnjoftimet, si dhe çështjen e targave, që mbetet ende e pazgjidhur. Kryeministri paralajmëroi se nëse vendi fqinj nuk do ta zbatojë marrëveshjen e fundit, të njëjtën gjë do të bëjë dhe Kosova. Ndërsa për targat shprehu bindjen të vijojë me zbatimin e vendimit të tij.
“Sa i përket 1 shtatorit, vazhdon fushata për konvertimin e targave nga ato që i ka lënë regjimi i Miloshevicit, e Serbia e secili pushtet i ka vazhduar, tek ato që janë legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës. Kjo të vazhdojë deri me datën 31 tetor”, deklaroi Kurti.
Haradinaj në këtë takim shprehu shqetësim për faktin se Serbia mund të heqë dorë nga dialogu nëse formohet Asociacioni i Komunave Serbe dhe kërkoi që qeveria të mos negociojë ujdi të veçanta, por një marrëveshje me njohje reciproke. Të njëjtën porosi pati edhe Abdixhiku, ndërsa të dy kërkuan përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialog.
“Ia thashë kryeministrit Kurti që Bashkimi Evropian vërtet ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, mbi një dekadë, por rrethanat politke, gjeostrategjike kanë ndryshuar. BE-ja nuk është më neutral, është në luftë me Rusinë, njëjtë si e gjithë bota. Mendoj se tash është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofoli i dialogut t’i kalohet presidentit të Amerikës, Joe Biden, sepse në këtë mënyrë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garancia në implementim”, tha ish-kryeministri Haradinaj.
Ndërkohë, sipas liderit të LDK-së Abdixhiku, “dialogu i copëzuar, pjesë-pjesë është interes i vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës, prandaj sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, sa më tepër që mbesim në këtë proces, sa më gjatë që mbesim në këtë proces, Kosova ushqen status quo, ushqen interesat që nuk vijnë në frymën që dëshirojmë ta ndërtojmë, andaj i kërkuam kryeministrit që të jetë i guximshëm, të shkojë në dialog së bashku me aleatët tanë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kërkojë marrëveshjen finale me njohjen reciproke në thelb të saj, me respektim të Kushtetutës në thelb të saj dhe me respektim të integritetit territorial të vendit në thelb të saj.”
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nuk mori pjesë në këtë takim. (A2 Televizion)