
Nga më shumë se 6 mijë persona që u shpallën të zhdukur në Kosovë pas mbarimit të luftës, 1617 prej tyre ende mbajnë atë status. Andin Hoti, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, jep detaje për një situatë që ka lënë mijëra familje të Kosovës në dëshpërim, 23 vite pas përfundimit të luftës.
“Familjet e këtyre 1617 janë ende në luftë, nuk ka mbaruar pas 23 vitesh tmerri për ta. Fillimisht, kanë qenë 6 mijë personat e deklaruar të zhdukur, ku një pjesë është gjetur më vonë në burgjet e Serbisë”, thotë Hoti për A2 CNN.
Ndër të zhdukurit, jo vetëm shqiptarë, por edhe serbë, romë, dhe pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme që përbëjnë Kosovën, por sipas tij sërish pala serbe nuk duket e hapur për një bashkëpunim serioz.
“Nuk është bërë mjaftueshëm, në Bruksel kemi qenë disa herë në bisedime me palën serbe, por çuditërisht po luajnë një lojë politike edhe mbi këtë çështje, dhe nuk gjen asnjë llojë humanizmi për të bashkëpunuar, fillimisht duke hapur arkivat e shtetit të Beogradit. Nuk kemi ku t’i kërkojmë këto informacione tjetër, përveç atij shteti. Janë marrë me qindra persona që janë rivarrosur në vende të ndryshme në Serbi nga ushtria serbe, dhe vendodhja mund të gjendet pikërisht në ato arkiva”, shton ai.
Beogradi gjatë bisedimeve kundërshton edhe terminologjinë e përdorur. “Pikërisht nga pala serbe jemi tërhequr nga disa pika dytësore për hir të gjetjes se një deklarate të përbashkët, por asnjëherë kemi gjetur një qasje bashkëpunuese. Ata kishin probleme edhe me terminologjinë, pikërisht me termin “persona të zhdukur me forcë”. Është ajo që ka ndodhur në Kosovë dhe nuk ka term tjetër, term që në 2015 ata vetë e kanë ratifikuar dhe sot nuk e pranojnë thjesht për lojë politike”, thotë Hoti.
Por çfarë mund të bëjë komuniteti ndërkombëtar, për të lëkundur pozicionin serb? “E kthejmë kokën nga ata se jemi të pafuqishëm t’i kërkojmë Beogradit humanizmin. Serbia është në rrugën e BE-së dhe kjo rrugë mund të kushtëzohet me zbardhjen e dosjeve të personave të zhdukura”, thotë zyrtari kosovar, që shton se priten imazhe të reja satelitore për varre masive në territorin e Serbisë. (A2 Televizion)