
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shprehet me bindje se çështja e targave me Kosovën nuk do të zgjidhet para 1 shtatorit. Duke folur në një konferencë në Beograd, bashkë me ministrin e Jashtëm të Kubës, ai rrëzoi optimizmin e disa përfaqësuesve europianë, ndërsa lëshon akuza për qeverinë e Prishtinës se nuk po kërkon kompromis në këtë drejtim.
“Politikanët europianë janë shumë më të zgjuar dhe më seriozë se unë dhe nuk duhet të jenë të vrenjtur si unë, por duhet të kenë një skenar optimist në kokën e tyre. Unë nuk shoh zgjidhje në këtë moment dhe më 1 shtator, ata do të nisin fushatën e tyre duke u përpjekur t'i detyrojë serbët të ndryshojnë targat”, deklaroi Vuçiç.
Vuçiç shtoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të ketë shumë sukses në fushatën për ndërrimin e targave nga KM në RKS. Për këtë çështje, presidenti serb tha se pret një valë përpjekjesh diplomatike.
“Pres bisedime dhe vizita të rëndësishme pas Open Balkans. Erdogan do të vijë këtu. Do të kemi shumë ndërmjetës që do të vijnë nga Europa dhe bota, por për momentin nuk shoh asnjë mundësi për përparim sepse nuk ka dëshirë nga ana e Prishtinës për të diskutuar zgjidhje racionale dhe kompromisi”, shtoi kryeministri serb.
Kjo vjen pasi Kosova dhe Serbia pas shumë negociatave arritën një ujdi për pranimin e letërnjoftimeve përkatëse në kalimet kufitare. Por e njëjta gjë nuk ndodhi me çështjen e targave, e cila në letër ishte më e lehta për t’u zgjidhur.
Ndërkohë, gjatë konferencës, Vuçiç hodhi poshtë mundësitë për ndryshimin e politikës së jashtme të Serbisë, duke konfirmuar se vendi i tij nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë. (A2 Televizion)