E ku më shumë se sa në Korçë, në qytetin e “Mësonjëtores” së parë shqipe ka vlerë 7 Marsi, dita e mësuesit.
Nisur edhe nga kjo traditë, Korça ka nxjerrë dhjetëra mësues të devotshëm, të cilët edhe me përkushtim dhe me sakrificë kanë arsimuar breza të tërë.
Një prej këtyre mësuesve është edhe kompozitori i njohur Josif Minga. Mësuesi 67-vjerçar, prej 45-vjetësh, ka dhënë mësim në shkollat e mesme dhe në universitetin “Fan Noli” të Korçës.
Pas një jete të tërë në funksion të përgatitjes së brezit të ri, Minga e cilëson kështu profesionin e mësuesit: “Një mision i shenjtë, me të cilin duhet të përcjellës ato që të tjerëve iu duken çudi pas një kohe. Kjo është një nga meritat më të mëdha. Bashkë me rritjen fizike, të gjithë njerëzit kanë nevojë për rritjen intelektuale”.

E kaluara, sipas Mingës, ka qenë një sistem arsimimi i kufizuar, format dhe që nuk lejohej të dilje nga kornizat, ndërsa sot është më i çliruar.
Por kjo liri, sipas Mingës, ka edhe sfidat dhe rreziqet e veta për brezin e ri dhe në këtë pikë, profesori ka këtë apel: “Telefoni është zgjatim i zërit, shpata është zgjatim i dorës dhe libri është zgjatim i anës shpirtërore, i botës intelektuale”.
Sipas Mingës, asnjëherë rruga e shkurtër e dijes nuk të përgatit në jetë, pasi si çdo gjë e mirë edhe arsimi dhe përgatitja e një njeriu kërkon mund. (A2 Televizion)