
Personat me aftësi të kufizuar që përfitojnë “kemp” nuk mund të largohen më tepër se 3 muaj nga Shqipëria, pasi në të kundërt do ta humbin këtë përfitim financiar.
Kjo parashikohet në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, ndërsa përgjegjësja e sektorit përkatës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale specifikon rastet kur humbet “kempi”.
“Për rastet e tilla, kur personi refuzon të kryhen ekzaminimet që rekomandohen nga komisioni. Po ashtu, kur personat me aftësi të kufizuar nuk janë rezident në Shqipëri pagesa mund të ndërpritet kur qëndrojnë më shumë se 3 muaj jashtë vendit. Me përjashtim të rastit, kur këta persona qëndrojnë për arsye mjekësore”, Eneida Capo, drejtoria e zhvillimit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Nga ana tjetër, skemës i shtohen mijëra të tjerë. “Janë rreth 3 mijë persona që përfitojnë pagesën e aftësisë së kufizuar. Të gjithë ata persona që nuk kanë pasur 12 muaj kontribute në 5 vite të fundit dhe që nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurime shoqërore, kanë mundësi të trajtohen nga programi i aftësisë së kufizuar”, shprehet Capo.
Por, a ka ndryshuar diçka në plotësimin e dokumentacionit? “I gjithë dokumentacioni përgatitet nga institucioni shëndetësor dhe bashkë me një kartë identiteti përcillet pranë institucioneve përkatëse”, sqaron Capo.
Herë pas here, personat me aftësi të kufizuar kanë protestuar, kryesisht për pagesat, por edhe kundër diskriminimit, siç thonë ata. (A2 Televizion)