Dita e pestë e protestave, nisi marshim paqësor, përfundoi me shpërndarje me dhunë

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2020, 10:37 | Aktualitet
Dita e pestë e protestave, nisi marshim paqësor, përfundoi me

Qytetarët dolën sërish në rrugë, në ditën e pestë radhazi të protestave në kërkim të drejtësisë për Klodian Rashën. Nën thirrjet “Drejtësi për Klodianin!”, pjesëmarrësit shtruan kërkesat e tyre.

Pika fillestare e takimit ishte sheshi “Skënderbej”. E më pas, Kryeministria, ku u bë dhe një demonstrim kundër brutalitetit policor. Nga aty, filloi marshimi paqësor me himnin kombëtar.

Protestuesit u drejtuan nga Drejtoria e Policisë, ku gjatë rrugës mbizotëronin thirrjet për të liruar personat e arrestuar. Policia kishte angazhuar 1500 efektivë për mbarëvajtjen e këtij organizimi.

Ky do të ishte dhe ballafaqimi i parë i protestuesve me forcat e rendit, të cilët përsëritën sërish këtë gjest simbolik.

Policia nisi kundërpërgjigjen e saj, fillimisht duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës. Gjatë sprapsjes së protestuesve, efektivët shoqëruan dhe disa pjesëmarrës. Por, edhe qytetarët nuk i kursyen sendet e forta.

Gjatë momenteve të shpërndarjes dhe kthimit në pikën e nisjes, më të rinjtë shprehën zemërimin e tyre ndaj dhunës policore duke dëmtuar pronën publike. Disa protestues u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej”, ku u hasën me gaz lotsjellës. Këto shoqërime të tjera në komisariat, shënuan kështu fundin e ditës së pestë të protestave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos