Mbyllet dita e pestë e protestës, përplasje me policinë dhe shoqërime të tjera

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2020, 17:55 | Aktualitet

20:30 - Përfundon protesta që nisi si tubim paqësor, por që nuk i shmangu dot disa momente përplasjeje mes protestuesve dhe policisë.

20:16 - Zbrazet sheshi "Skënderbej" pas ndërhyrjes së policisë.

20:05 - Policia hedh gaz lotsjellës në sheshin "Skënderbej". Forcat e rendit shoqërojnë disa persona.

19:55 - Protestuesit përshëndesin efektivët, gjatë kthimit në sheshin "Skënderbej".

19:43 - Të rinjtë ndahen në grupe, me efektivët e policisë që po i shoqërojnë gjatë marshimit.

19:36 - Policia ndahet në grupe për të ndjekur protestuesit në disa rrugë.

19:27 - Nisin shoqërimet e para në komisariat.

19:24 - Ka nisur përplasja e protestuesve me policinë. Efektivët hedhin gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve dhe po avancojnë ngadalë përpara.

19:19 - Protestuesit shtrihen në tokë edhe pranë Drejtorisë së Policisë. Efektivët nisin hedhjen e ujit me presion drejt protestuesve.

19:10 - Protestuesit largohen nga Kryeministria paqësisht dhe i drejtohen Drejtorisë së Policisë.

18:57 - Protestuesit ndalen para Kryeministrisë.

18:42 - Grupimi i protestuesve nis lëvizjen drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit", me thirrjet "Drejtësi për Klodianin!".

Disa të rinj, thyejnë reklamat e vendosura në stacionet e autobusëve.

18:22 - Policia i kërkon të rinjve që të mos qëndrojnë më shumë se 10 persona të grumbulluar.

Efektivë të policisë iu afruan protestuesve, duke i kërkuar që të mos grumbullohen, ndërkohë që përfaqësues të protestuesve kërkojnë dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

18:00 - Sot, regjistrohet nata e pestë e protestave, që nga vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Në rrjetet sociale u bë sërish thirrje për protesta në sheshet kryesore të vendit, kundër dhunës policore, për lirimin e protestuesve, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe reformim të Policisë.

Tubimet kanë nisur pas ngjarjes së rëndë që ndodhi gjatë orës policore të martën, në Laprakë, kur efektivi Nevaldo Hadëraj qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë dhe, sipas prokurorisë, e gjithë ngjarja ndodhi në më pak se 3 minuta.

Pas natës së parë të protestës në Tiranë, ministri i Brendshëm dha dorëheqjen, por kryeministri Edi Rama deklaroi se kryepolici Ardi Veliu do të qëndrojë në detyrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos