
Mëngjesin e 20 shkurtit 1991 dhjetëra mijëra qytetarë të Tiranës u mblodhën në “Qytet Studenti” për të mbështetur grevën e studentëve.
Më pas, grupe të mëdha mbështetësish, të inkurajuar nga akti i studentëve iu drejtuan sheshit “Skënderbej”, atje ku prej vitit 1988 qëndronte statuja e diktatorit.
Pas rreth dy orësh përplasje me policinë, nën një tension të jashtëzakonshëm, qindra njerëz nisën ta tërhiqnin me kavo statujën derisa ajo u rrëzua.
Sot 30 vite më vonë, në disa panele të ndryshme, ekspozita “Rënia e një diktatori” hedh dritë mbi informacione të njohura dhe pak të njohura, nga vendimi për ngritjen e monumentit e deri në rrëzimin e tij.
Ekspozita e vendosur në Sheshin Skënderbej dokumenton zhvillimet e atyre ditëve, si manifestim i ditës kur diktaktura filloi të shihej ndryshe. (A2 Televizion)