“Dokumenti i marrëveshjes, në tryezë”, Rama: Mundësi e artë dhe historike, gjëja më e mirë për Kosovën

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 16:26 | Politikë
“Dokumenti i marrëveshjes, në tryezë”, Rama:

Këtë herë me zë dhe figurë, Edi Rama kërkoi për së dyti lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Edhe pse nuk mban një qëndrim të qartë nëse janë rrëmbyer apo arrestuar nga forcat serbe, kryeministri i Shqipërisë, në konferencë për shtyp me homologun e Hungarisë, tha se po punon në disa kanale për kthimin e tyre në shtëpi, duke mos përjashtuar komunikimin direkt me presidentin Aleksandër Vuçiç.

“Ata duhet të kthehen menjëherë në shtëpi. Nuk kanë bërë vepër penale. Nëse nuk kthehen deri sot mbajtja e tyre është e pajustifikueshme”, tha Rama.

I pyetur nëse po punon për një dritare tjetër komunikimi me Albin Kurtin, Edi Rama u përgjigj se kryeministri i Kosovës duhet të fokusohet te mundësia që i kanë vendosur në tryezë aleatët ndërkombëtarë për të zgjidhur situatën e krijuar me Serbinë, duke nxjerrë i pari lajmin se në tryezën e shefit të Qeverisë në Prishtinë ka mbërritur tashmë një propozim.

“Sot bashkësia euroatlantike i ka dhënë mundësinë e artë Kosovës, propozimi i BE-së dhe SHBA-së është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje në tavolinë dhe kjo mundësi e artë në këtë moment, nuk do të jetë aty përgjithmonë, sepse situatat mund të ndryshojnë dhe mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori ku nuk do kemi zgjidhje. Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e identifikojnë veten si patriotë në lufta imagjinare, por nuk sjellin asgjë përveç humbjes së kohës dhe mundësisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, shmangu të mbajë një qëndrim për tensionin mes Prishtinës dhe Beogradit, por nuk harroi të kritikojë Bashkimin Europian, për vonesat burokratike, që sipas tij kanë lënë jashtë Ballkanin Perendimor.

“Është e papranueshme dhe është e turpshme sesa avash po ecën ky proces i zgjerimit të BE-së. Pas 10 vitesh në qoftë se perspektivat janë të sakta mendoj se vetëm gjermanët, vetëm Gjermania do të ngelet në 10 vendet më të zhvilluara të botës, sepse në qoftë se zgjerimi i BE-së do të ecë me këtë ritëm kaq të ngadaltë mund të them që është një ritëm vetëvrasës, nuk e di si do ia bëjë Europa në të ardhmen”, tha Orban.

Deri sa BE-ja të marrë një vendim për integrimin e rajonit, Tirana dhe Budapesti do të vijojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik, madje për investimet hungareze Edi Rama kishte edhe një vlerësim. “Paratë e tyre jo vetëm që nuk kanë erë, por kanë erë të mirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos