Dorëzohet Mercedes, tërheq ankimimin dhe përgëzon Verstappen

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2021, 15:52 | Sporte të tjera
Dorëzohet Mercedes, tërheq ankimimin dhe përgëzon Verstappen

Max Verstappen mund të shijojë më në fund i qetë titullin e parë kampion në Formula 1, pasi Mercedes tërhoqi apelimin e vendimit që kishte marrë FIA pas përfundimit të garës së fundit të sezonit në Abu Dabi dhe përgëzoi holandezin.

Gjatë një interviste për CNN të mërkurën, Verstappen tha se mezi po priste që të shijonte titullin. “Mendoj se kur kanë kaluar pak ditë nga fitorja, dhe je me pushime, atëherë do të ndihem edhe më mirë”, tha ai. “Gjithë viti ka qenë i tensionuar, sidomos përfundimi”.

Ai shpjegoi gjithashtu se në xhiron e fundit, ku të gjithë të pranishmit thuajse po çmendeshin nga ajo që po ndodhte në pistë, ai po përpiqej të ruante qetësinë dhe të mposhtte ngërçin që e kishte zënë në këmbë, çka po ia bënte të vështirë të shkelte gazin deri në fund.

Lewis Hamilton ishte duke shkruar historinë kur po udhëhiqte garën e fundit për të fituar titullin e 8 kampion, si askush tjetër më parë, kur në xhiron e fundit, Verstappen përfitoi nga makina e sigurisë për ta parakaluar britanikun dhe fituar garën e titullin. Mercedes bëri dy ankesa atë ditë, dhe pasi të dyja iu hodhën poshtë tha se do të apelonte. Por të enjten, drejtuesit e kompanisë gjermane tërhoqën ankesën, duke mbyllur përfundimisht çdo paqartësi në lidhje me kampionatin e Formula 1. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos