Dosja “shpirti”, prokurori Sota mohon akuzat, Gjykata e Lartë miraton “arrestin në shtëpi”

Nga A2 CNN
30 Janar 2022, 14:28 | Kronikë
Dosja “shpirti”, prokurori Sota mohon akuzat, Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e prokurorit të pezulluar të Vlorës, Maksim Sota, për lirim nga masa e “arrestit shtëpiak”. Sota është izoluar në banesë prej muajit korrik 2021 me kërkesë të SPAK, pas dyshimeve për “shpërdorim detyre”. Ai është një nga të akuzuarit e dosjes “Shpirti”, hetim që çoi në pranga 38 persona të përfshirë në trafikun e gati 6 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, mes të cilëve ish-zyrtarë të policisë së Vlorës dhe dy bodigardët e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e prokurorit Sota, duke e lënë të pandryshuar masën e “arrestit në shtëpi” dhënë nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Posaçëm. SPAK ngriti dyshimet ndaj prokurorit pas deklarimeve të tre të penduarve të drejtësisë, që pretenduan se i dyshuari si kreu i grupit kriminal Ilirjan Duçellari, kishte lidhje me prokurorin Sota, të cilit i paguante edhe qiranë e një shtëpie në Vlorë.

https://a2news.com/2021/07/04/operacioni-shpirti-a2-zbulon-si-paguhej-prokurori-sota-nga-kreu-i-bandes-per-te-shpetuar-anetaret-nga-drejtesia/

Sipas të penduarve, prokurori kishte dijeni për përfshirjen në trafik të Duçellarit dhe se ishte angazhuar për zgjedhjen e problemeve të tij me drejtësinë. Në rekursin e bërë në Gjykatën e Lartë, Sota mohonte të njihte tre të penduarit e drejtësisë. Ai ka pretenduar se e njeh Ilirjan Duçellarin si person, por se nuk ka pasur asnjëherë lidhje, shoqëri të ngushtë, apo miqësi me të.

Prokurori i pezulluar ka këmbëngulur se në hetimin 7-vjeçar të çështjes, nuk ka asnjë përgjim, apo fotografim që të provojë ndonjë njohje mes tyre. Njëkohësisht prokurori ka mohuar të ketë qëndruar në një banesë me qira të paguar nga Duçellari dhe as që të ketë ndërhyrë në hetime për llogari të tij. Hetimi ndaj Sotës dhe të bashkëpandehurve të tij është përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe tashmë dosja ndodhet në duart e gjyqtarit paraprak. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/07/02/spak-i-merr-shpirtin-megaoperacioni-6-ton-droge-e-miliona-euro-asete-kriminale/

A2 CNN Livestream

Latest Videos