
Një përballje direkte për kreun në Premier League. Manchester City-Arsenal është supersfida e mbrëmjes që mund të vendosë shumë për fatin e titullit këtë sezon.
“Topçinjtë” po zhvillojnë një sezon të shkëlqyer në Premier League, pasi prej javësh udhëheqin tabelën e klasifikimit si kryesues. Megjithatë, sot përballë “Qytetarëve” kjo mund të ndryshojë. Së fundmi, skuadra e Artetës nuk po kalon një formë të mirë pas barazimit ndaj Brentford dhe humbjes ndaj Everton.
Megjithatë, “Topçinjtë” mbeten pretendentë kryesor për të fituar titullin në Premier League dhe pse detyra do të jetë shumë e vështirë. Përballja e fundit me Manchester City ishte vetëm 2 javë më parë, ku “Topçinjtë” u mundën minimalisht në ndeshjen e vlefshme kjo për 1/16 e finales së FA Cup.
“Qytetarët” e Guardiolës nuk kanë asgjë për të humbur dhe për këtë do të bëjnë çmos vetëm për të fituar. Dhimbjet e kokës për tekniku spanjoll, Pep Guardiola, nuk mungojnë. Siç e theksoi dhe në konferencën për shtyp në prag të sfidës, sulmuesi i City, Erling Haaland, është në dyshim nëse do të jetë apo jo që nga minuta e parë në fushë.
Norvegjezi nuk është ndjerë mirë pas përplasjes me portjerin Martinez në ndeshjen e fundit ndaj Aston Villa dhe për këtë nuk dihet nëse do të jetë apo jo gati. Statistikat në vite flasin të gjitha për qytetarët, megjithatë Arsenali i këtij sezoni mbetet i frikshëm dhe me pritshmëri maksimale.
Dueli Arsenal-Manchester City luhet sot në mbrëmje, në orën 20:30. (A2 Televizion)