Durrës, të dëmtuarit nga tërmeti, Bashkia: Asnjë s’del nga hoteli pa marrë bonusin e qirasë

Nga A2 CNN
8 Janar 2020, 16:15 | Aktualitet

Banorët që janë strehuar në hotele pasi banesat e tyre kanë rezultuar të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit, kanë shprehur paqartësi mbi procedurat që do të ndjekin për të përfituar bonusin e qirasë që akordohet nga bashkia.

Disa ankohen se nuk i ka dalë emri, të tjerë e kanë gjetur emrin por nuk i ka kaluar fondi i rimbursimit të qirasë, ndërsa të tjerë ankohen se qiratë janë rritur shumë dhe nuk e përballojnë dot.

Mes këtyre pasigurive të banoreve A2 i ka kërkuar një sqarim bashkisë së Durrësit se si do të veprohet me banorët që janë strehuar në hotele, kush janë procedurat deri në daljen e bonusit të qirasë dhe kur do të kërkohet që ato të lirojnë ambientet e hoteleve ku janë strehuar.

Florian Tahiri

“Dy gjerat më të rëndësishme janë akt-konstatimi që banesa është e pabanueshme dhe dokumenti i pronësisë. Në momentin që kryqëzojmë këto dokumente, del bonusi për qiranë. Personave që i dalin lekët në llogari bankare,  largohen nga hoteli dhe vazhdojnë jetën në shtëpinë me qira. Personat që nuk i del bonusi vazhdojnë të qëndrojnë nëpër hotele”, thotë nënkryetari Florian Tahiri.  

Nënkryetari i bashkisë së Durrësit ka komentuar edhe problematiken e rritjes se çmimit të qirave të banesave, fenomen ky sipas nënkryetarit që ka prekur kryesisht zonat periferike dhe fshatrat.

https://a2news.com/2020/01/05/banoret-e-durresit-ne-dileme-mes-hoteleve-dhe-bonusit-te-qirase/

“Problemi më i madh ndodh në periferi dhe zonat rurale. Më parë çmimi ishte rreth 10 mijë lekë për një 2+1, sot duke marrë vesh paketat e Bashkisë, qytetarët kanë rritur çmimet për të përfituar vlerat tona të referencës, që për një 2+1 për 4-5 persona japim 25 mijë lekë”, shton Tahiri.

Trajtimi i banorëve me bonus qiraje do të vijojë deri në rindërtimin e banesave të tyre, që janë shembur nga tërmeti i 26 nëntorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos