Grantet e rindërtimit, qeveria dhe bashkitë nisin pagesat, kush përfiton

Nga A2 CNN
7 Janar 2020, 17:17 | Aktualitet
Grantet e rindërtimit, qeveria dhe bashkitë nisin pagesat, kush

Tre janë kategoritë që do të përfitojnë grante nga qeveria në kuadër të programit të rindërtimit. Bëhet fjalë për familjet e pastreha që do të marrin bonusin e qirasë, për hotelet që po strehojnë aktualisht të prekurit si dhe grantet individuale që do të jepen kryesisht në zonat rurale, për ata që duan të riparojnë apo ndërtojnë nga fillimi shtëpitë e dëmtuara.

Teksa qeveria ka miratuar vendimin për këtë kategori të fundit, masa dhe kriteret për përfitimin e grantit të rindërtimit mbeten ende për t’u zbardhur në fletoren zyrtare. Megjithatë ato do të ndahen në tre kategori.

“Rikonstruksioni është i tre niveleve, i lehtë, mesatar dhe mbi mesatar dhe mbi këtë bazë do të ketë grante për rikonstruksion”, deklaronte ministri Ahmetaj.

Zv/ministrja e turizmit, Ornela Çuçi deklaroi në A2: “Aplikimi online është aktualisht për ata persona të cilëve duhet t’iu ringrihet shtëpia e tyre. Për ata që nuk dinë ta bëjnë këtë gjë mund të shkojnë në çdo sportel të çdo bashkie të prekur nga tërmeti, ka sportelistë që e sqarojnë banorin për të gjithë procedurën që duhet të ndjekë.”

Ndërkohë qeveria ka nisur të paguajë hotelet ku po akomodohen të prekurit nga tërmeti, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Po ashtu edhe Bashkitë Tiranë, Kamëz dhe Vorë kanë nisur shpërndarjen e bonusit të qirave për familjet, i cili jepet mbi bazën e numrit të anëtarëve të familjes dhe mbi një mesatare të çmimeve në tregun e banesave.

Sipas të dhënave të Thesarit, në total, këto pagesa arrijë në 175.8 milionë lekë, apo rreth 1.4 milionë euro. Shpenzimet ndahen në 132 milionë lekë kundrejt hoteleve dhe 43.8 milionë lekë për ato familje që kanë marrë deri më tani këtë pagesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos