Dvorani: Meta ka të drejtën e vet, por gjyqet popullore i përkasin regjimit të kaluar

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2021, 11:04 | Aktualitet
Dvorani: Meta ka të drejtën e vet, por gjyqet popullore i

Ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, tha pas vendimit për pushimin e çështjes kundër tij- ngritur nga presidenti Meta - se nuk ka ndërmend të interpretojë vendimin e gjykatës. “Nuk mendoj që më shkon mua të bëj interpretime të mia”, tha Dvorani.

I pyetur nëse do të përballet tashmë ligjërisht me Presidentin Meta, ai shtoi se nuk ka përplasje me asnjë institucion. “Unë jam gjyqtar dhe për një gjyqtar është e pakonceptueshme të ketë përplasje me institucionet”.

“Kush mendon se ka përplasje i ka për vete, unë nuk kam me askënd. Është e drejtë e zotit Meta si çdo individi tjetër, të ketë interpretimin dhe gjykimin e tij për fakte të caktuara. Unë nuk jam kurrkush që ta paragjykoj. Janë institucionet që e vendosin këtë. Koha e gjyqeve popullore i përket regjimit të kaluar. Nuk vendosen çështjet në media, me gjithë respektin, por çështjet vendosen këtu”, tha ai.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar padinë e presidentit Ilir Meta ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për pushimin e padisë.

Sipas SPAK, nga hetimi i kryer ka rezultuar se nuk ka vepër penale në veprimet e pretenduara nga kreu i shtetit. Meta u përplas me Dvoranin në nëntor të vitit 2019 pas interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti pretendoi në padi se Dvorani kishte “shpërdoruar detyrën” dhe “përvetësuar titullin apo detyrën shtetërore”, duke mos respektuar radhën e dërgimit në Presidencë dhe Kuvend, të listës me kandidatët e Kushtetueses. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos