
Një 56-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij në lagjen Sheq i Madh. Ngjarja u raportua fillimisht si vetëvrasje, por Policia thotë se bashkëshorti i saj mund të jetë autori i vrasjes.
“Pas njoftimit të marrë në sallën operative se në lagjen "Sheq i Madh", Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen. Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të administruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes”, tha Policia e Fierit.
Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)