Një turiste italiane kishte mbetur e bllokuar për plot 3 ditë në Karaburun. Asaj i kishte mbaruar ushqimi dhe uji duke ia pamundësuar lëvizjen, por fatmirësisht është shpëtuar.
Operacioni për gjetjen e saj ka zgjatur për plot 12 orë. Ka qenë shoku italian, me të cilin po eksploronin zonën që bëri njoftimin në Polici, e më pas bashkë me shërbimet e repartit “Delta” shkuan në terren ku bënë të mundur gjetjen e saj në afërsi të vendit të quajtur “Qafa e Petrunës”.
Për fat, turistja ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
"Karaburun
Shërbimet e Policisë, pas gati 12 orësh kërkime, gjejnë afër një shpelle në Karaburun, një turiste italiane që kishte mbetur aty, pasi e kishte të pamundur lëvizjen për shkak se i kishin mbaruar uji dhe ushqimi.Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, menjëherë pas njoftimit nga një shtetas italian, se një shtetase italiane me të cilën ai po eksploronte zonën e Karaburunit, prej 3 ditësh, kishte mbetur afër një shpelle në këtë zonë pasi e kishte të pamundur lëvizjen për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit, kanë shkuar në këtë zonë, bashkë me shërbimet e repartit “Delta”.
Pas gati 12 orësh kërkime, bashkë me disa specialistë të zonave të mbrojtura dhe pjesëtarë të guidave turistike që njihnin zonën, në bazë të orientimit me hartë, nga turisti italian, është bërë e mundur gjetja e shtetases italiane, në afërsi të vendit të quajtur “Qafa e Petrunës”.
Turistja italiane mori ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikur për jetën. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë që u shkuan në ndihmë". (A2 Televizion)
Njoftimi i Policisë së Shtetit