
Zjarri i rënë, disa ditë më parë, në një banesë, rishfaqi edhe një herë problematikën e ndërtimeve pa kriter në qytetin e Kukësit dhe vështirësinë deri në pamundësi për ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse në raste të tilla.
Siç mund të shikohet nga pamjet, mjeti zjarrfikës nuk ka mundur të afrohet pranë objektit në flakë, pasi rrugicat e ngushta dhe muret e oborreve të banesave nuk kanë lënë hapësirat e nevojshme për operacione të tilla.
Është dashur ndihma edhe e mjetit zjarrfikës të aeroportit të Kukësit, që situata të vihej nën kontroll. Për shefin e shërbimit zjarrfikës të Kukësit, situata në disa lagje të qytetit është vërtetë problematike me hapësirat, pasi është e pamundur futja e mjeteve dhe thuajse në të gjitha rastet zjarrfikësit janë detyruar të zgjasin tubat duke humbur efektivitetin në shuarjen e flakëve.
Problematika shfaqen edhe në blloqet e pallateve, ku rrugët e ngushta dhe që thuajse në të gjithë kohën bllokohen edhe nga mjetet e parkuara, nuk krijojnë mundësi as për t'u futur ambulanca dhe jo më mjetet e zjarrfikëses. (A2 Televizion)