
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i bashkohet deklaratës të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mbështetje të zgjatjes të mandatit të institucioneve të vetingut.
Duke folur në një takim vjetor strategjik mes Prezencës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Kryetari i Prezencës, ambasadori, Vincenzo Del Monaco, theksoi progresin e jashtëzakonshëm të arritur deri më tani në reformën në drejtësi dhe shprehu besimin e plotë për rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut, ambasadori Del Monaco më tej përsëriti, se ai nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi.
Presioni ndërkombëtar për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut në drejtësi sa vjen e rritet, kur duhen edhe pak ditë nga votimi në seancë. Përfaqësia diplomatike e BE-së dhe SHBA-së në Tiranë, përmes një reagimi të përbashkët i rikujtoi palëve politike se ky është një rekomandim edhe i Komisionit të Venecias.
“Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike”, thuhet në deklaratën e përbashkët të BE-SHBA.
Përfaqësuesit e Brukselit dhe Uashingtonit theksojnë qartësisht se kjo nuk duhet trajtuar si një çështje partiake, një thirrje që më shumë duket se i drejtohet veshit të opozitës.
“Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE, sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake, ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, thekson deklarata.
Pas deklaratës së përbashkët të SHBA-së dhe Bashkimit Europian ka reaguar edhe ambasada britanike në Tiranë. Në një postim në rrjetet sociale, mbrëmjen e sotme, ambasada britanike inkurajon Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të vetingut. Sipas saj, zbatimi i reformës në drejtësi është thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe efikas për të ardhmen e Shqipërisë. “Procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të reformës dhe në përgjithësi në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike.
Më herët, ishte Berlini zyrtar që përmes drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, bëri një thirrje të ngjashme ku nënvizoi se përgjegjësia për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut është e të dyja palëve. “Reforma në drejtësi është një element deciziv në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të Bashkimin Europian. Vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët është çelësi i këtij procesi dhe duhet të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Është përgjegjësi e përbashkët e qeverisë dhe opozitës që të bëjnë të mundur zgjatjen e afatit të organeve të vetingut”, deklaroi drejtorja për Ballkanin Perëndimor, Susanne Schütz.
Ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut janë tashmë edhe zyrtarisht pjesë e rendit të ditës në punimet e seancës plenare të kësaj të enjteje në Parlament. Për të miratuar nismën mazhoranca ka edhe për votat e opozitës pasi ndryshimet e kushtetutës kërkojnë 94 vota. Për këtë, pjesë e negociatave me demokratët janë bërë vetë ndërkombëtarët. A2 CNN raportoi të hënën se pjesë e dakordësisë që duket se është arritur, janë dhe kthimi në agjendën e Kuvendit të 3 nismave kushtetuese të PD-së, që u vu re që në nisje të kësaj jave parlamentare. Përveç vetingut për politikanët dhe reformës territoriale, demokratët kërkojnë edhe një reformë zgjedhore. Për këtë të fundit, me 17 shkurt, do të miratohet edhe ngritja e një komisioni të posaçëm të Kuvendit. (A2 Televizion)