Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, komentoi vizitën e zhvilluar, një ditë më parë, në inceneratorin e Fierit nga një grup deputetësh anëtarë të komisionit.
“Që nga dita e parë që nisi Komisioni Hetimit të Inceneratorëve, mazhoranca përpos avokatisë së atyre që sot janë në kërkim dhe korrupsionit, ka kërkuar me ngulm vizitën tek inceneratorët. Dje, si komision ia plotësuam dëshirën dhe rezultati që pamë, ishte një tjetër provë e vjedhjes së 28 milionë eurove. Dje, qytetarët panë se inceneratori i Fierit nuk ishte funksional, nuk përpunohej asnjë mbetje, ndonëse inceneratori ka marrë të gjithë pagesën nga qeveria. Ndërkohë që duhet të kishte përfunduar 3 vite më parë! Ndërsa live gënjehej për 180 tonë mbetje që “përpunoheshin”, shqiptarët shihnin godina të bojatisura, por pa asnjë funksion”, tha Tabaku në një postim në Facebook.
“Deputetët dhe mediat e panë me sytë e tyre atë godinë që është realisht një vepër krimi, pasi aty nuk përpunohet asgjë. Kontratë korruptive, dhe mbi 28 milionë euro të dhuruara Klodian Zotos dhe bandës së grupit të strukturuar kriminal. Një vepër në kundërshti me direktivat e BE-së, dhe që do të jetë sipas KLSH-së me humbje në fund të ditës. Një vepër e dhënë në procedurë korruptive, tre kriminelëve tashmë në kërkim. Vetëm në vitin e parë që do të merret në pronësi nga shteti do t’i shtohet kostoja prej 7.2 milionë eurosh. Askush që ka një sens të vogël për ligjin nuk mund ta mbrojë këtë aferë. Asnjë deputet nuk mund të mbrojë këtë aferë në kurriz të qytetarëve. Inceneratori i Fierit sot duhet të ishte skenë krimi dhe pagesat duhet të kishin ndaluar!”. (A2 Televizion)