
Emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga Covid-19 dhe numri gjithmonë në rritje i të prekurve, kanë bërë që Maqedonia e Veriut të pezullojë përkohësisht futbollin.
Autoritetet vendosën që ndeshjet e Ligës së Parë dhe të Dytë, të planifikuara të luheshin gjatë kësaj fundjave, do të shtyhen me një javë. Shkak janë bërë ndryshimet në Protokollin e ri Shëndetësor, ku janë përcaktuar masa më rigoroze në betejën kundër pandemisë.
Rikthimi i futbollit do të varet nga ecuria e ngjarjeve, ndërsa sezoni i kaluar u ndërpre pa shpallur një fitues në fushë.
Mbyllja e dytë e kampionatit do të ishte një goditje e madhe për skuadrat shqiptare atje, me Shkëndijën e Tetovës dhe Shkupin që janë pretendente për titullin, duke dominuar rivalët. (A2 Televizion)