
Britania e Madhe shënon vdekjen e parë nga varianti Omicron. Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi valë të madhe infektimesh, dhe njoftoi planin për t’ i dhënë dozën e tretë të vaksinës të gjithë të rriturve, deri në fund të muajit.
Britania e Madhe bëhet gati për “emergjencën Omicron”. “Kam frikë se po përballemi me një emergjencë në betejën tonë me variantin e ri Omicron, dhe duhet të përforcojmë në mënyrë urgjente murin e mbrojtjes nga vaksinat, për të ruajtur të dashurit tanë”, tha kryeministri Boris Johnson.
Kryeministri njoftoi se doza përforcuese do t’u ofrohen të gjithë të rriturve mbi moshën 18-vjeçare që këtë javë në Angli, ku siç tha pritet një valë infektimesh me variantin Omicron. Synimi është që të gjithë të rriturit që do të duan ta bëjnë, të marrin dozën e tretë brenda muajit, e për ta arritur objektivin do të shtohen njësitë dhe ekipet e vaksinimit e mijëra vaksinatorë të tjerë do të trajnohen.
“Askush nuk duhet të ketë dyshime. Një valë infektimesh me Omicron po vjen, dhe kam frikë se dy doza të vaksinës nuk janë më të mjaftueshme për të ruajtur nivelin e nevojshëm të mbrojtjes. Lajmi i mirë është se shkencëtarët besojnë se me një dozë të tretë mund të ruajmë të rikthejmë mbrojtjen e fortë”, tha Johnson.
Të dhënat fillestare sugjerojnë se doza e tretë është 75% efektive në parandalimin e Covid-19 simptomatik nga Omicron. Johnson foli pak orë pasi niveli i alarmit nga Covid-19 u ngrit në 4 për shkak të përhapjes së variantit, që nënkupton shkallë të lartë transmetimi. Qytetarëve u është thënë, që nëse munden të punojnë nga shtëpia nga kjo e hënë, si pjesë e masave të planit B, të shpallura nga qeveria.
10 persona janë të shtruar në spital me Omicron në Angli, 40% e të gjitha infektimeve në Londër janë më variantin e ri. Ministri i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se Omicron po përhapej me ritme fenomenale. (A2 Televizion)