
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, zv.sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar komentoi dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama drejtuar ambasadorëve, disa prej të cilëve sipas tij, përfshirë këtu dhe atë amerikane, ndajnë pëlqim ose mospëlqim me vendimet e gjykatave.
Për zyrtarin amerikan, veprimet e ambasadores amerikane në Tiranë kryhen në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shtetit dhe janë qëndrime institucionale.
“Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve”, u shpreh Escobar.
Nuk mungoi në intervistën e diplomatit Escobar një pyetje dhe për shpalljen non grata të Sali Berishës, i cili tashmë ka marrë drejtimin e Partisë Demokratike.
Ai u përgjigj se vendimi erdhi si pasojë e korrupsionit që SHBA-të konstatuan, ndërkohë që përsëriti thirrjen drejtuar institucioneve shqiptare që ta konsiderojnë dhe shqyrtojnë këtë fakt.
“Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, deklaroi zv/sekretari i Shtetit. (A2 Televizion)