
Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend një tjetër projektligj për reformën territoriale. Këtë herë ishte grupimi që mbështet Sali Berishën që dorëzoi draftin e vet, ndërsa në fillim të muajit ishte grupi tjetër, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj që dorëzoi propozimin e vet.
I pyetur pse nuk u arrit që PD-ja të dërgojë një nismë të vetme ligjore, deputeti Oerd Bylykbashi tha për gazetarët se ka ende kohë për të gjetur dakordësinë në Parlament. “Më e rëndësishmja është që të jenë komunitetet që e ndjejnë veten të respektuara dhe që iu është dhënë pushteti atyre. Sigurisht që këtë fazë të hartimit të këtij projektligji, morëm kohë për të bashkëbiseduar me kolegët. Ata zgjodhën qëndrimin për të shkuar me një projektligj të tyrin, por siç e thashë, të dy ndryshojnë shumë pak nga njëra-tjetra, sa i përket ndarjes territoriale”.
“Sigurisht që edhe për ligjin e lustraciuonit, që PD-ja e dorëzoi e para, përballë tentativës false për hapje dosjesh, ka dhe një version tjetër, por mund të gjendet gjuha e përbashkët. Ajo që ka rëndësi është që në të dyja rastet, PD-ja kërkon lustracion dhe të mos jenë 61 bashki, por 94 apo 97. 61 janë jo vetëm të pamjaftueshme, por dështim. Asnjë numër afër tij nuk është në përputhje me kartat e Këshillit të Europës në lidhje me pushtetin vendor”.
Bylykbashi tha gjithashtu që, nëse grupimi Alibeaj bashkon votat me shumicën, ai dhe kolegët e tjerë nuk do ta votojnë projektligjin. “Asgjë që lëviz dukshëm nga propozimi që bëjmë sot nuk mund të marrë mbështetjen tonë, sepse do të ishte diçka që nuk kërkojnë qytetarët”. (A2 Televizion)