Euro 2020, shtohet numri i lojtarëve, vaksinimi jo i domosdoshëm

Nga A2 CNN
13 Prill 2021, 17:15 | Futboll
Euro 2020, shtohet numri i lojtarëve, vaksinimi jo i domosdoshëm

Euro 2020 në situatën pandemike ka krijuar pasiguri, shumë shqetësime dhe pikëpyetje. E hëna e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të marrë vendime të rëndësishme, për sa i takon fazës finale të eventit më të rëndësishëm kontinental.

Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv do të ratifikohen vendime që lidhen me sugjerimet për shtimin e numrit të futbollistëve që secila skuadër do të ketë në dispozicion, çështjen nëse sportistët dhe stafet teknike duhet të jenë të vaksinuara, por edhe rreth qyteteve që do të mirëpresin evenimentin, ku është e detyrueshme që stadiumet të jenë të hapura për tifozët.

Sipas gazetës La Repubblica, UEFA do të miratojë kërkesën e disa trajnerëve të përfaqësueseve më të mëdha europiane, që të grumbullojnë 25 futbollistë, në vend të 23 që parashikon rregullorja aktuale. Kjo lidhet me faktin se lojtarët do të paraqiten në Kampionatin Europian pas një sezoni rraskapitës dhe përpos rrezikut të rënies së formës, kërkohet të evitohen dëmtimet serioze që vijnë prej ngarkesës së madhe fizike.

Një tjetër çështje më rëndësi, mund të lidhet me përjashtimin e mundësisë, që të gjithë pjesëmarrësit në eveniment të jenë detyrimisht të vaksinuar. Vendimi për vaksinimin e sportistëve dhe pjesëtarëve të stafit do të merret nga qeveritë, bazuar në masat specifike që kanë marrë.

E hëna do të jetë vendimtare për të mësuar edhe se cilat do të jenë zyrtarisht qytetet organizatore të Euro 2020. UEFA pret që deri në fundjavë, Roma, Dublini, Bilbao dhe Monako të garantojnë prezencën e publikut në stadiume gjatë ndeshjeve, qoftë kjo edhe me numër të kufizuar, të paktën në 25% të kapacitetit të stadiumeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos