
Katër skuadra në garë, dy bileta për finalen dhe një trofe për t’u fituar. Këtë të mërkurë, Kupa e Shqipërisë kthehet me sfidat gjysmëfinale. Vllaznia pret në Shkodër Laçin, skuadër përballë të cilës nuk ka fituar asnjëherë në këtë sezon. Një trend që duhet ndryshuar, për të shpresuar fitimin e trofeut të parë pas 13 vjetëve.
Thomas Brdarić, trajner i Vllaznisë, u shpreh: “Nevojitet grintë dhe agresivitet. Kjo është e vetmja mënyrë si mund të përballesh me Laçin. Duhet të shfaqim të njëjtën ego si kundërshtari. Në ndeshjen e barazuar në Laç përdorëm strategjinë e duhur, tashmë duhet të bëjmë diçka ndryshe për të fituar, duke shfrytëzuar edhe fushën më të madhe. I kemi të gjitha mundësitë për ta fituar Kupën dhe do ta shfrytëzojmë këtë mundësi”.
Sfida tjetër është ajo ndërmjet Teutës kryesuese në kampionat dhe Skënderbeut që lufton për mbijetesë. Edhe pse ka avantazhin e fushës, trajneri Edi Martini mbetet supersticioz dhe shmangu daljen përpara mediave, ndërsa Migen Memelli kërkon finalen.
Gjysmëfinalet e Kupës do të luhen me eliminim direkt, çka do të thotë se nëse fituesi nuk përcaktohet brenda 90 minutave të lojës, ndeshjet do të vazhdojnë me shtesë, ose edhe me penallti. (A2 Televizion)