Leo Messi këmbëngul për rikthimin e Neymar

Nga A2 CNN
12 Prill 2021, 16:32 | Futboll
Leo Messi këmbëngul për rikthimin e Neymar

Neymar përsëri te Barcelona. Kjo është dëshira e Leo Messi, si një prej kushteve për t’i rikthyer katalanasit konkurrues në arenën ndërkombëtare. Ndërsa braziliani ka nisur negociatat për rinovimin e kontratës me PSG, gjashtë herë fituesi i Topit të Artë po bën të pamundurën që drejtuesit e skuadrës t’i rikthejnë partnerin e repartit ofensiv.

Me kontratën e Neymar që përfundon në qershor 2022, qëndrimi në Paris dukej thuajse i sigurt. Kjo mbi të gjitha për kostot e larta financiare që paraqet operacioni për afrimin e kapitenit të Brazilit. Por “L'Equipe” shkruante se, Barcelona mund të mendojë të bëjë një sforco të rëndësishme financiare, për të plotësuar kërkesën e Messi-t. Prej emërimit të Laportës në krye të klubit, argjentinasi mbetet shumë i lidhur me projektin e Barcelonës. Tashmë që kërcënimi i lidhur me Manchester City-n është evituar, në “Camp Nou” po mendojnë të ndërtojnë një cikël të ri me yje rreth Lionel Messi.

Lëvizja e parë do të ishte afrimi i Neymar, për të rikthyer një prej dysheve sulmuese më të suksesshme. Messi dhe Neymar kanë luajtur së bashku për 4 sezone, duke fituar nëntë trofe, mes tyre edhe Champions League në vitin 2015. Vështirësitë për rikthimin e Neymar te Barcelona mbeten deficiti financiar i klubit, në vlerën e një miliard e 170 milionë euro, por edhe kërkesat financiare të brazilianit, që me kontratën aktuale përfiton 36,8 milionë euro në vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos