
Ashtu si besimtarët e krishterë dhe ortodoksë festuan në një mënyrë të pazakontë Pashkët, edhe besimtarët myslimanë do të festojnë krejt ndryshe muajin e shenjtë të Ramazanit.
Jemi mësuar që Ramazanin ta presim me lutjet e përbashkëta krah në krah, por këtë të premte atmosfera nuk është e njëjta për shkak të pandemisë Covid-19.
“Kjo do të ikë me lejen e Zotit. Ne shpresojmë edhe në udhëzimet që kemi marrë edhe më parë Jemi privuar nga bashkimi, vëllazëria, por unë shpresoj se kjo do të largohet sa më parë dhe do të kthehemi në normalitet. Allahu do ta qetësojë gjendjen edhe globale”, shprehet Bujar Spahiu, kryetar i KMSH.
“Edhe Zoti thotë që duhet t’i përshtatemi kohës. Kjo situatë është e përkohshme. Njeriu fiton imunitet, në të kundërt do të ishte shuar njerëzimi. Me mund dhe sakrifica arrihet çdo gjë e mirë në këtë botë”, u shpreh Baba Mondi, kryegjysh botëror i bektashinjve.
Të njëjtën situatë kaluan dhe besimtarët katolikë dhe ortodoksë. “Ka qenë një javë shumë e vështirë për ne, një situatë shumë e dhimbshme sepse jemi mësuar për këto raste të shohim një kishë të mbushur me besimtarë. Kjo festë është kremtuar me banka të zbrazura. Në krahasim me vitet e tjera, ishte një kremtim në kundërshtim me eksperiencat e tjera”, tha Imzot George Frendo, Arqipeshkvi Metropolitan Tiranë-Durrës.
Por ashtu si dhe për Pashkët edhe muaji i madhërishëm i Ramazanit simbolizon solidaritetin dhembshurinë dashurinë për familjen dhe njëri-tjetrin.
“Jemi privuar nga iftari sepse Ramazani dhe feja është një shtysë themelore që lidh raporte me njerëzit, me Zotin, mbase kjo do të na mungojë, por kjo nuk do të thotë që ne të mos shprehim solidaritetin dhe ndihmën tonë”, shprehet Bujar Spahiu, kryetar i KMSH.
“Ne Kreshma dhe Ramazani janë një ftesë që njeriu të hapet më shumë ndaj të tjerëve, të tregojë më shumë dashurinë e tij, ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Unë uroj myslimanët për Ramazanin”, u shpreh Imzot George Frendo.
1.8 miliardë myslimanë të botës u përgatitën për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në këtë kohë, kur njerëzit janë të vetizoluar në shtëpi për të evituar përhapjen e koronavirusit, klerikët i inkurajojnë myslimanët të fokusohen te faljet dhe ta kthejnë izolimin në paqe të brendshme. (A2 Televizion)