
20 pacientë që trajtoheshin me hemodializë, tre ditë në javë në spitalin e Prizrenit, sot janë kthyer mbrapsht pa iu nënshtruar këtij procesi.
Drejtuesit e spitalit të Prizrenit u kanë komunikuar vendimin pacientëve për shkak të situatës në të cilën ndodhet ky spital, pas kontaminimit me Covid-19 të stafit mjekësor të Prizrenit.
Ata janë mbledhur para spitalit të Kukësit dhe po kërkojnë zgjidhje. Burime nga spitali i Kukësit pohojnë se po bëhen të gjitha përpjekjet për transferimin e tyre në qendrën e hemodializës në Shkodër ose në Tiranë.
Prej disa vitesh, falë marrëveshjes ndërqeveritare me Kosovën, më shumë se 25 pacientë nga Kukësi, Hasi e Tropoja, kryenin hemodializën në spitalet e Prizrenit dhe Gjakovës. (A2 Televizion)