
Dy persona janë vënë në pranga nga policia pasi akuzohen se falsifikonin pasaportat dhe kartat e kreditit.
Në pranga janë vënë shtetasit L. S., 27 vjeç dhe R. H., 39 vjeç, banues në Kukës, ndërsa janë sekuestruar 1 automjet, 19 pasaporta, 23 karta identiteti dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë DVP Lezhë, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat", në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 2 shtetas që merreshin me veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave po lëviznin me mjet nga Kukësi në drejtim të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar "Falsifikatori". Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë kanë evidentuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford Mustang”, me drejtues shtetasin R. H., dhe pasagjer shtetasin L. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.
Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Policisë Kukës është ushtruar kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku përsëri janë gjetur letërnjoftime të tilla.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Ford Mustang”, pasaportat, kartat e identitetit dhe lejet e drejtimit të falsifikuara”, bën të ditur policia. (A2 Televizion)