
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me të rinjtë në zonën e Kombinatit në Tiranë. Ai shprehu besimin se angazhimi i të rinjve në politikë dhe në Partinë Republikane është një gjë e çmuar, e cila jo vetëm kontribuon në mposhtjen nga e djathta e këtij regjimi të korruptuar, por edhe një angazhim për të ndërtuar një shtet dhe rikthimin e besimit. Shqipëria ka të ardhme, tha Mediu dhe ashtu si në 2005 e bëmë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, mbas 25 prillit në mandatin e parë qeverisës, Shqipëria do bëhet anëtare e BE.
Mediu u shpreh më tej se duhet të luftojmë për një qeveri që të punojë për njerëzit kundrejt qeverisjes së korruptuar dhe totalitare që po na largon qëllimisht nga vendi ynë.
“Luftojmë për mirëqenien, ndërtimin e lumturisë që na ka falur Zoti, kundër varfërisë që na ka sjellë Rama. Luftojmë për jetën tonë si dhuratë e Zotit dhe për sigurinë kundër pasigurisë, krimit dhe drogës që po kontrollon shtetin e pushtetin. Luftojmë për mbrojtjen e kushtetutës si ligji që mbron liritë tonë, kundër shkatërrimit të shtetit, shkatërrimit dhe rrënimit të parlamentit. Luftojmë me besimin në Zot, se vetëm ai është mbi ne dhe jo Edi Rama, i cili do që të humbasim besimin dhe shpresën në vete dhe në Zot. Luftojmë se jemi kundër urrejtjes, banalitetit, rrugaçërisë qeveritare të Ramës, që vetëm fyen, shan dhe përbuz. Luftojmë për dashurinë ndaj Zotit dhe njëri-tjetrin, për familjet tona, për Shqipërinë, sepse këto janë të shenjta, janë qëllimi i jetës sonë. Luftojmë kundër urrejtjes, sepse vlerat europiane janë dashuria dhe besimi”.
Kreu republikan theksoi se duhet të votojmë shtetin dhe policinë që është kundër krimit dhe mbrojnë qytetarin, e jo shtetin me policinë në krah të tij, që mbron krimin dhe dhunon qytetarin. “Votojmë dhe luftojmë se kemi besim që me punë mund të ndërtojmë vendin tonë, të cilin Zoti e ka bekuar me çdo gjë. Luftojmë që mundi i prindërve tanë të mos shkojë kot. Votojmë që fëmijët tanë të ndërtojnë jetën dhe lumturinë në Shqipëri”, u shpreh Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane. (A2 Televizion)