
Ish-ambasadori shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa, deklaroi në studion e Ditarit në A2 CNN, se administrata e Biden do të ketë një interes të shtuar për shqiptarët dhe Ballkanin në tërësi. Sipas tij, SHBA ka qenë një forcë shtytëse për proceset post-komuniste në Shqipëri dhe për zhvillimet demokratike në vend.
“Administrata e Biden do të jetë e interesuar për shqiptarët dhe Ballkanin në tërësi. Kosova është krijesë e SHBA-së dhe administratës së Klinton në atë kohë, por Biden kishte pozitë kyçe në senat në kohën e Klinton dhe ishte ndër sponsorizuesit e rezolutës për të sulmuar Serbinë në atë kohë. Biden është ndër autorët e pavarësisë së Kosovës. Do ketë interesim të shtuar, ndryshe nga administrata e Trump do të ketë rol konstruktiv”.
Ish-ambasadori thekson se administrata e Biden do të bëjë presione të mëdha ndaj Beogradit që të sillet me Kosovën si shtet i barabartë
“Administrata e Biden do të bëjë presione të mëdha ndaj Beogradit që të sillet me Kosovën si shtet i barabartë edhe pse Beogradi do vazhdojë të mos e njohë si shtet i pavarur”.
Sa i takon ndërhyrjes dhe ndikimit rus në Ballkan, Tarifa thekson se Rusia nuk do të ketë influencë të shtuar në Ballkan me përjashtim të Serbisë e Malit të Zi. Sipas tij, Serbia është e interesuar të luajë me dy porta nga njëra anë BE dhe nga ana tjetër Rusia
Ballkani nuk është ai rajon i viteve ’90. Rusia nuk do të ketë influencë të shtuar në Ballkan me përjashtim të Serbisë e Malit të Zi. Serbia është e interesuar të luajë më dy porta, nga njëra anë BE-ja dhe nga ana tjetër Rusia. Në Beograd, kërkohet anëtarësimi i Serbisë në BE, por kurrsesi në NATO, një realitet i ngjashëm me Ukrainën e Finlandën. Serbia është në pozicion të veçantë në radhët e shteteve ballkanike. Por, SHBA-ja nuk do të lejojë presion të madh rus në Ballkan si ky që kemi parë deri më sot. (A2 Televizion)