Fëmijët me autizëm: Kërkojmë shërbime, pension për nënat dhe specialistë në rrethe

Nga A2 CNN
22 Prill 2022, 15:48 | Sociale
Fëmijët me autizëm: Kërkojmë shërbime, pension

Numri i fëmijëve me autizëm po shtohet, e ndërkohë sfida e rritjes së tyre po bëhet gjithmonë e më vështirë për prindërit. Në një takim prindëror dhe profesionistësh, aktivistë që merren me personat me spektrin e autizimit i kanë të qarta kërkesat ndaj shtetit, por vëmendjen e tij e ilustrojnë me një fakt konkret.

“Me ministrinë e Arsimit nuk kemi pasur një takim të vetëm për të diskutuar”.

Theksi gjatë muajit të autizmit është vënë te nevoja e qendrave të posaçme afër vendbanimeve, ndërsa tërhiqet vëmendja te mungesa e kujdesit për personat me çrregullimet neurobiologjike që kalojnë moshën 15 vjeç.

“Nuk kemi kërkuar financim, shërbime dhe vetëm shërbime. Janë 170 mijë persona autikë, bashkë me prindërit jemi mbi 500 mijë vota dhe çdo qeveri duhet të na ketë frikë. Të hapen shërbime për +15, kujdestaria të kthehet në profesion të rregulluar”.

Ministrisë së Shëndetësisë i kërkohet të shtojë mjekët vlerësues në rrethe pasi shërbimet janë të përqendruara vetëm në kryeqytet.

“Si mund të vlerësohet një fëmijë në Tiranë që vjen nga Saranda pas 5-6 orësh udhëtim?”

Eksperienca dhe të dhënat e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë se fëmijët autikë po shtohen, teksa pjesëmarrja e tyre në shkollë po bie.

Shoqata dhe prindërit kërkojnë që vëmendja ndaj tyre të jetë 365 ditë, e jo vetëm në ditët përkujtimore të këtij çrregullimi neurobiologjik.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos