
Shpëtimi i Alvin Berishës nga kampi famëkeq i Al Holit në Siri ka ndezur një rreze shprese tek familja të tjera në Shqipëri, që luftojnë prej vitesh të kthejnë në atdhe të vegjlit e dërguar në Siri nga prindër të radikalizuar.
Agjencia franceze e lajmeve AFP citon rastin e Mide Dumanit, një nënë 46-vjeçare që jeton në periferi të Tiranës dhe që lutet prej vitesh për t’u bashkuar me dy fëmijët e saj. Eva dhe Endri, tashmë 13 dhe 11 vjeç, janë mes dhjetëra të miturve shqiptarë që kanë ngecur në Siri, kryesisht në kampin e Al Holit. Fytyrat dhe historitë e tyre dhe shumë shqiptarëve të tjerë atje u zbuluan nga kamera e A2 dhe gazetari Julian Kasapi, i cili hyri pak javë më parë në kampin e tmerrit.
“Jam shumë e lumtur për Alvin Berishën, por jam në ankth për dy fëmijët e mi të cilët vazhdojnë të jenë atje, në mes të ferrit”, thotë nëna.
Dumani nuk i ka parë fëmijët që kur bashkëshorti i mori me vete në Siri në shkurt të vitit 2014. Ai u vra disa muaj më vonë, duke i lënë Evën dhe Endrin në mëshirë të fatit.
"Jam një nënë. Kanë kaluar 6 vjet, nuk mund të duroj dot më. Sa shumë ëndrra të thyera”, thotë Mide Dumani.
Herë pas here, e bija e telefonon ose i dërgon mesazhe nga kampi. Në njërin prej tyre i kishte thënë se jeta atje ishte shumë e vështire dhe se të gjithë ishin të rrezikuar. Mide Dumani, thotë AFP, i ka varur të gjitha shpresat tek qeveria shqiptare, e cila ndihmoi Damaskun dhe Romën për shpëtimin e Alvin Berishës.
Agjencia franceze citon zv/ministren e Brendshme, Romina Kuko, të thotë se kthimi i fëmijëve është prioritet, por mbetet problem identifikimi i atyre që kanë lindur atje e nuk kanë kombësi shqiptare.
AFP interviston edhe 82-vjeçarin Dylber Shuli, i cili ka 5 nipër në kampin famëkeq: “Fëmijët janë të pafajshëm, ata nuk duhet të paguajnë për sjelljen e papërgjegjshme të prindërve të tyre”.
Djali i tij, Krenari, u largua në tetor të 2013-s me gruan Adelina dhe tre vajzat Elona, Erma dhe Justra, dhe djali Ibrahim lindi atje në vitin 2016. Elona 17-vjeçare u detyrua të martohej me një luftëtar të ISIS, por pas vrasjes së prindërve dhe bashkëshortit, po i rrit e vetme djalin e saj 2-vjeçar, vëllain 3-vjeçar dhe dy motrat e vogla.
Nga telefonatat që ka zhvilluar me të, gjyshi thotë se Elona është e dëshpëruar dhe se ka menduar të vëtëvritet për t’i shpëtuar terrorit. (A2 Televizion)