Sir Alex Ferguson është rikthyer të punojë për Manchester United, pak ditë nga shkarkimi i Jose Mourinhos si trajner i skuadrës.
Edhe pse drejtuesit e klubit anglez kanë emëruar Ole Gunnar Solskjaer si trajner të përkohshëm, i kanë kërkuar legjendës Ferguson që të rikthehet si këshilltar, për të ndihmuar skuadrën të rikthehet në ditët e lavdishme.
Ferguson ishte pjesë e grupit që bisedoi me Solskjaer në mënyrë që norvegjezi të pranonte të drejtonte skuadrën dhe sipas asaj që zbulon “The Sun”, të dy do të takohen vazhdimisht në javët e ardhshme. Fergie ishte gjithashtu njeriu që rekomandoi rikthimin e Mike Phelan si ndihmëstrajner. Ndërsa së fundmi është folur edhe për një rikthim të Peter Schmeichel, në rolin e drejtorit të futbollit.

Një burim për “The Sun” thotë se skocezi nuk do të jetë i punësuar me kohë të plotë, por do të këshillojë dhe ndihmojë në punën e tyre stafin e ri që do të drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit.
Mësohet se Ferguson nuk është pyetur fare për emërimet e Van Gaal dhe Mourinhos në krye të United, një “gabim” ky që pronarët e klubit duket se nuk do ta përsërisin më. 77-vjeçari po bën kështu një rikthim fantastik në aktivitet të plotë, vetëm disa muaj pasi i shpëtoi vdekjes kur pësoi një hemorragji cerebrale në maj. (A2 Televizion)