Ferrari gjen drejtorin e ri për të arritur majat e Formula 1

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2022, 09:47 | Sporte të tjera
Ferrari gjen drejtorin e ri për të arritur majat e Formula 1

Frederic Vasseur do të jetë drejtori i ri i Ferrarit që nga fillimi i vitit 2023.

Francezi 54-vjeçar, i cili që prej vitit 2017 mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Alfa Romeo/Sauber, do të zëvendësojë Mattia Binotto-n, i cili dha dorëheqjen nga skuadra italiane e Formula 1 muajin e kaluar. Vasseur do të ketë detyrën e drejtimit të skuadrës italiane drejt fitimit të titullit kampion.

CEO i Ferrarit, Benedetto Vigna tha: “Fred ka kombinuar forcën e tij teknike si një inxhinier i mirëtrajnuar me aftësinë për të nxjerrë gjithmonë më të mirën nga pilotët dhe skuadrat e tij. Kemi nevojë për këtë sjellje për të shtyrë Ferrarin përpara me energji të reja”.

Zyrtarisht, Vasseur do të bashkohet me Ferrarin më 9 janar. Francezi tha se ndihet i lumtur dhe i nderuar që do të marrë këtë detyrë. “Si një njeri që kam pasur gjithmonë pasion sportet motorike, Ferrari gjithmonë ka përfaqësuar kulmin e botës së garave”, tha ai. “Mezi po pres që të punoj me skuadrën e talentuar dhe të pasionuar në Maranello për të nderuar historinë dhe trashëgiminë e kësaj skuderie dhe sjelljen e sukseseve për tifozët tanë anembanë botës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos