Fitimi i betejës në Strasburg, Besnik Cani mund të mos jetë i vetmi, Daci firmosi 37 shkarkimet

Nga A2 CNN
4 Tetor 2022, 19:36 | Aktualitet

Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për rastin e ish-prokurorit Besnik Cani duket se nuk do të jetë i vetmi i këtij lloji.

Kjo për faktin se KPA ka një listë të gjatë të vendimeve që mbajnë firmën e Luan Dacit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Referuar faktit se edhe atyre iu është bërë vetingu në KPA nga një trupë, që në rastin e Canit u konsiderua nga Strasburgu si “jo e ndërtuar në ligj”, “fati” final mund të jetë i ngjashëm.

 A2 CNN mësoi në burime zyrtare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit se gjatë ushtrimit të funksionit si gjyqtar kushtetues pranë KPA, Daci, ka marrë pjesë në 45 vendimmarrje. Në 37 nga këto raste Kolegji ka vendosur përjashtimin nga detyra të gjyqtarëve, prokurorëve apo këshilltarëve ligjorë.

Mes togave të zeza të shkarkuara janë edhe ish-drejtuesi i Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish-kolegët e tij Fatos Lulo e Fatmir Hoxha, ish-drejtuesi i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori e ish anëtarë të kësaj gjykate.

https://a2news.com/2022/10/04/gjykata-per-te-drejtat-e-njeriut-godet-vettingun-shkarkimi-i-prokurorit-besnik-cani-i-padrejte/

Vendimi ndaj Canit është e dyta vendimmarrje e Strasburgut e kundërshtive të gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar nga vetingu. Në vendimin e parë, GJEDNJ rrëzoi pretendimet e ish-anëtares Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, duke arsyetuar se organet e vetingut janë të pavarura dhe të paanshme dhe se anëtarët e trupave të tyre janë zgjedhur në përputhje me ligjin.

https://a2news.com/2020/02/27/kpa-shkarkon-nga-detyra-prokuronin-besnik-cani-klp-mbetet-me-10-anetare/

Ndërkohë, totali i të shkarkuarve nga vetingu që janë drejtuar me ankim në Strasburg kalon shifrën 100. Aktualisht, kjo gjykatë është në pritje të shpalljes së vendimit për ankimet e bëra nga ish-prokuroret Antoneta Sevdari dhe Besa Nikhasani dhe ish-gjyqtari Admir Thanza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos