
Askush nuk po kupton pikën e fundit se deri ku kanë shkuar sulmet kibernetike ndaj sistemeve digjitale shqiptare. E sigurt është që vendi mbetet i ekspozuar edhe ndaj risqeve të tjera. Fabian Zhilla tha për A2 CNN se veç ndërhyrjes në të dhënat personale, qytetarët shqiptarë janë përballë rreziqeve të tjera private nga elemente të ndryshme kriminale.
Për ekspertin e sigurisë, ka ardhur momenti i ndryshimit të të gjitha të dhënave personale të shtetasve shqiptare, ndërsa prokuroria duhet të veprojë.
Seria e sulmeve nuk përfshin vetëm Shqipërinë, pasi ka tentativa për destabilizim të të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Portali shtetëror e-Albania, por edhe sistemet e policisë ishin në shënjestrën e sulmeve kibernetike në mes të korrikut dhe shtatorit.
Qeveria e njoftoi publikun se bëhej fjalë për një sulm të sofistikuar dhe të sinkronizuar nga Irani, duke ndërprerë në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet diplomatike. Diplomatët iranianë u larguan nga Ambasada në Tiranë, më 8 shtator, pasi dogjën letrat dhe dokumentacionin në ambientet e Ambasadës. (A2 Televizion)