Flakë dhomës së votimit, dënohen me nga 3,5 vite burg 3 të akuzuar

Nga A2 CNN
4 Qershor 2020, 11:53 | Kronikë
Flakë dhomës së votimit, dënohen me nga 3,5 vite burg 3

Gjykata e Tiranës dënoi me nga 3 vjet e 6 muaj burg tre persona të akuzuar për “dëmtim me dashje të materialeve zgjedhore”.

Altin Picari dhe Leonard e Ylli Hajdari, përkatësisht 38, 29 dhe 24 vjeç u fajësuan për tentimin e djegies së një dhome të fshehtë votimi në një KZAZ në Vorë, pak ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Sipas vendimit, ngjarja ka ndodhur paraditen e 19 qershorit të kaluar, kur para KZAZ-së që ndodhej në shkollën 9-vjeçare të Marqinetit, po zhvillohej një tubim nga subjektet politike PD e LSI dhe punonjës të Bashkisë Vorë.

Pas disa përplasjeve me policinë dhe sprapsjeve prej saj, tre të pandehurit kanë kaluar gardhin në anën e pasme të godinës dhe janë futur brenda duke thyer dyert. Ata janë arrestuar në flagrancë, teksa po i vinin flakën kutisë së një dhome të fshehtë votimi, zjarr që është fikur nga punonjësit e policisë.

Ndonëse u dënuan me burg, tre të pandehurit nuk do të shkojnë në qeli, pasi gjykata vendosi t’i lerë në Shërbim Prove për një periudhë 3-vjeçare. Gjatë tre viteve të fundit Kodi Penal ka pësuar ndryshime, duke ashpërsuar masat e dënimeve për krimet zgjedhore. Kur pritshmëria e publikut është te dalja para drejtësisë e shitblerësve të votës, deri më tani prokuroria ka shkuar deri tek ata që kanë grisur fletë votimi apo djegur materialet zgjedhore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos