FNSH në aksion, vijon operacioni për sekuestrimin e autoveturave luksoze

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2020, 11:58 | Kronikë
FNSH në aksion, vijon operacioni për sekuestrimin e autoveturave

Në orët e para të ditës, postblloqe policie janë vënë tek rrotullimi i TEG-ut në Tiranë. Për të gjithë ndiqet një procedurë: mjetet luksoze ndalohen, dy punonjëse femra të Drejtorisë së Trafiqeve fotografojnë dokumentat e makinës, ndërkohë që punonjës të rendit kryejnë kontrollin fizik të personave dhe të mjetit.

Të gjitha të dhënat i kalojnë Operacionit Forca e Ligjit, i ngritur në kuadër të aktit normativ anti KÇK, duke synuar vënien në hetim të pasurive të personave të hetuar apo dënuar për krime të rënda.  

Operacioni për sekuestrimin e mjeteve të vjedhura apo pronë e kontigjentëve penalë ka vijuar edhe në qytete si Korçë dhe Vlorë. Kontrollet janë përqendruar në hyrje të Vlorës dhe të fshatrave. Sipas policisë, fokusi janë mjetet e blinduara dhe kapja e personave në kërkim. Numri i mjeteve të sekuestruara ka arritur në dhjetra, ku nuk kanë munguar dhe makina të blinduara.

Bëhet fjalë për automjetet e personazheve me dënime për vepra të forta penale si Saimir Taullau, Dashamir Gjoka dhe Durim Bami. Mes tyre është edhe Landi Muharremi, i njohur si Rrumi, person me precedent penal dhe që ishte i pranishëm në mjetin e prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, kur iu bë atentati në mbikalimin e Shkozetit.

Në Fier, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë blinduar hyrjen dhe daljen nga qyteti. Të gjithë mjetet luksoze që mund të jenë objekt i operacionit “Forca e Ligjit” dhe që për rrjedhojë mund të shërbejnë për të shkuar te pasuritë e kokave të krimit, ndalohen duke u kontrolluar imtësisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos