
Një magji përtej çdo imagjinate të shfrenuar e quajti kryeministri Rama rezultatin e konferencës së Donatorëve në Shkurt, ku shtetet dhe institucionet ndërkombëtare zotuan 1.15 miliardë euro financim në formën e kredive dhe granteve, për një faturë rindërtimi prej mbi 1 miliardë eurosh.
Sot, mbi 9 muaj nga konferenca e Brukselit, përthithja e këtyre fondeve ka qenë një proces i ngadaltë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, aktualisht grantet e angazhuara midis donatorëve dhe shoqatave shqiptare arrijnë në 270 milionë euro.
Ndërkohë, Financat deklarojnë se krahas granteve, po negociohet edhe për 3 hua në vlerën e 250 milionë eurove.
Edhe me nënshkrimin e të gjitha këtyre marrëveshjeve në proces, fondi në total do të arrinte në 520 milionë euro, sa gjysma e nevojave të programit të rindërtimit. Pjesa tjetër, duket se do të financohet përmes buxhetit të shtetit, aktualisht i kufizuar nga shpenzimet për pandeminë dhe plani ambicioz për investime publike vitin e ardhshëm.
Vonesat në financimin e këtij procesi kanë sot një impakt të madh në jetët e mijëra njerëzve që sot vuajnë për strehim, shkolla dhe qendra mjekësore të shembura 1 vit më parë. (A2 Televizion)