
Tritan Shehu, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe ish-ministër i Shëndetësisë, deklaroi se përpara se Shqipëria të mendojë për daljen nga karantina, duhet të bëjë sa më shumë testime, identifikime dhe izolime.
“Duhet të kemi sa më shumë teste, identifikime, izolime dhe pastaj të mendojmë për daljen nga karantina. Bëjmë shumë pak testime, krahasohemi me vende afrikane. E kemi jashtë loje mjekun e familjes, nuk kemi menduar të fillojmë një strategji dalëse duke bërë “screening” horizontal të imunitetit të popullsisë. Kjo do të na çonte në një hapje të sigurtë dhe rivendosjen e aktivitetit ekonomik dhe social të vendit”, tha Shehu.
“Duhet të mendojmë për pasaportën imunologjike të popullsisë, siç po bëjnë vendet e tjera”, shtoi Shehu.
Më tej, ish-deputeti demokrat shtoi se “shërbimi jonë i reanimacionit vuan shumë, sidomos në disa qendra dhe kjo bën që të mos arrihen standardet e vendeve të zhvilluara”.
“Duhet investuar shumë aty pasi mungesat e këtij shërbimi dolën në pah nga kjo epidemi”, theksoi Shehu. (A2 Televizion)