Franca bëhet zonë e gjelbër, Macron: Mos ulni vigjilencën

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 12:40 | Bota
Franca bëhet zonë e gjelbër, Macron: Mos ulni vigjilencën

Franca kthehet në një zonë të gjelbër. Në një fjalim televiziv mbrëmjen e së dielës, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi heqjen e shumicës së kufizimeve, duke rihapur gjithçka, nga lokalet e mbyllura te kinematë.

Gjithashtu, francezët do të jenë të lirshëm të udhëtojnë në shtetet e BE, por për zhvendosjet përtej kufijve të bllokut do të presin deri më 1 korrik. Macron tha se Franca e kishte siguruar fitoren e parë, por paralajmëroi se virusi mund të rikthehet.

“I gjithë vendi do të kthehet në zonë të gjelbër. Por, kjo nuk nënkupton se virusi ka ikur dhe se mund të ulim vigjilencën. Duhet të jetojmë me virusin për një kohë të gjatë, duke respektuar distancimin social. Vera e vitit 2020 nuk do të jetë si të tjerat dhe ne duhet të studiojmë evoluimin e pandemisë, për të qenë gati nëse ajo do të kthehet edhe më e fortë”, u shpreh Macron. Nga 22 qershori do të rihapen edhe shkollat, përveç atyre të larta. Kreu i Élysée konfirmoi gjithashtu se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, i planifikuar fillimisht për muajin mars, do të mbahet më 28 qershor. Megjithatë, grumbullimet masive do të mbeten rreptësisht të kontrolluara, pasi siç tha Macron, janë burimi kryesor i përhapjes së virusit. Por, ndërsa Franca kontinentale bëhet zonë e gjelbër, në territoret e Mayotte dhe Gajanës franceze, ku niveli i infektimit është ende i lartë, mbetet ne fuqi alarmi portokalli. Mbi 29,400 vetë humbën jetën nga covid-19 në Francë, por javët e fundit situata është përmirësuar ndjeshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos